Granit Shala: Ramushi është i fjalës e besës

Boksieri që “braktisi” profesionin për politikën: Ja raporti me Ramush Haradinajn

Ka nisur karrierën e tij si boksier në Gjermani, për të vazhduar me suksese ndërkombëtare si sportist. Pas disa viteve në këtë profesion, Granit Shala vendos të ndërrojë drejtim e tashmë t’i përkushtohet politikës. Boksieri është anëtarësuar në partinë AAK në Kosovë, ndërsa njihet si një nga mbështetësit më të zjarrtë të Ramush Haradinajt. E ndërsa pritet të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme, Shala rrëfen për “Bluetooth” jetën e tij, shfaqjen si aktor në një film, karrierën si boksier dhe atë në politikë e natyrisht edhe raportet e tij me femrat.
U bënë vite që merresh me sport, si i kujton fillimet, vështirësitë?
Mendoj se ashtu si shumë të tjerë, kam pasur edhe unë vështirësi në jetë, por gjithnjë kam pasur përkrahjen e familjes dhe miqve. Ka edhe momente kur mendja të shkon për të lënë sportin, por nuk jam penduar asnjëherë.
Boksi konsiderohet si një sport mjaft i vështirë. Të ka penguar diçka në ushtrimin e tij?
Në këtë botë gjithnjë do të ketë njerëz prej atyre që mundohen të të pengojnë, por ato gjithnjë bëheshin pas shpine. Vetë fakti që njerëzit përpiqen të të pengojnë tregon për suksesin e arritur.
Kush është Graniti me pak fjalë? Je i kënaqur me jetën, me punën që bën?
Jam një djalë nga një fshat i Pejës me emrin Loxhë dhe që në moshën dhjetëvjeçare kam emigruar në Gjermani. Në Gjermani ka filluar gjithçka për mua, nisur që nga boksi, por edhe impenjimi në ndërmarrjen e familjes.
Si e sheh sot sportin në Kosovë e Shqipëri, mendon se ka kapacitete e talente pa përkrahje?
Jam i bindur se Kosova dhe Shqipëria kanë talente të të gjitha sporteve, por përkrahja nga institucionet qendrore mungon. Do të doja të ishte ndryshe, por kjo është gjendja reale. Nuk duhet të harrojmë se sportistët janë ambasadorët më të mirë të vendit.
Ka pak kohë që je futur në politikë, si e sheh të ardhmen në këtë fushë?
Politikës në të vërtetë i jam futur prej një kohe të gjatë, ndërsa tani është më publike. Ramushin e konsideroj si një njeri të besës dhe të fjalës, ndaj zgjodha atë.
Do kishe dashur të sfidoje veten si kryetar bashkie në vendlindje, apo si deputet?
Për mua nuk ka rëndësi se në cilin nivel i shërbej popullit tim. Dua që edhe populli im t’i gëzojë të mirat që gëzojnë popujt e tjerë.
Femrat zakonisht preferojnë meshkujt që merren me sporte ekstreme dhe të rrezikshme, si i ke pasur raportet me to?
Unë jam njeri familjar, nuk jam frekuentues i jetës së natës. Edhe për femrat këtë preferoj.
Je tip aventurier? Cila është femra ideale për ty?
Nuk mendoj se jam tip aventurier. Pyetje interesante se çfarë femrash më pëlqejnë. Do të kisha thënë femrat e fshatit, ndoshta pse edhe unë jam nga fshati.
Je tip i skandaleve?
Skandalet nuk më pëlqejnë dhe për këtë arsye dua që emri im të jetë i pastër dhe një ditë ndoshta edhe të shkruajë historia për mua.

 

Mund të ju pëlqejn